Foto me AirDrop apo ngacmime në trafik? Po ti si po flirton në Tiranën e 2023-shit?

Entertainment
11 muaj më parë | Iconsyle.al
Foto me AirDrop apo ngacmime në trafik? Po ti si po flirton në Tiranën e 2023-shit?

Foto me AirDrop apo ngacmime në trafik? Po ti si po flirton në Tiranën e 2023-shit?

Në një kohë kur teknologjia e ka shndërruar globin praktikisht në një fshat dhe ke mundësinë të komunikosh me njerëz që mund të ndodhen qindra e mijëra kilometra larg teje, të njohësh njerëz të rinj për të cilët mund të kesh vërtet interes është bërë një sfidë e vërtetë. Duam të themi: Sa prej jush e kanë inbox-in e rrjeteve sociale plot e përplot me Aldon që jeton në Londër, Bledin që jeton në Amerikë ose Sarën që jeton në Gjermani? Plot! Dhe kjo sigurisht nuk është aspak keq nëse e ke syrin për emigrim… Por po flasim për ty që jeton në kryeqytet dhe dëshiron të njohësh dikë të ri që të mos jetë në anën tjetër të botës. Cilat janë mundësitë e tua? Sepse të gjithë e dimë se ka ikur koha kur djemtë merrnin guximin të të afroheshin në lokal për të të pyetur për emrin apo për të të qerasur me një pije e mori dreqi, a thua se do vdesin!

Por jo, tashmë të rinjtë në Tiranë ngacmohen me AirDrop dhe larg qoftë të kesh sistem Android se nuk e kemi idenë çfarë ndodh. Nëse ty nuk të ka ndodhur ende, na lër të jemi më të qartë. Ti je ulur në lokal duke pirë atë kafen tënde dhe krejt papritur të vjen një kërkesë në AirDrop që ti do e pranosh se s’të le krimbi. Dhe ç’të shohësh… Ç’KEMI RRUSHO!

(Episod i shkëputur nga jeta reale pranë stadiumit “Air Albania”) Pyetja është: Ku e di ky djalë posedues i një iPhone se kujt po i thotë “Ç’kemi rrusho”? Sa janë gjasat që ky mesazh të shkojë tek dikush tërësisht jashtë interesit të tij, si përshembull tek ai djali me mjekër në tavolinën ngjitur? Pra ndonëse meriton një “Të lumtë dora e vogël”  për guximin, le të themi që taktika çalon për mungesë strategjie.

Por në një univers paralel të quajtur Bllok, zhvillohet një tjetër lloj gjuetie: Ajo e ngacmimit nga makina në makinë. Ti je aty e ngecur në trafikun tradicional të zonës, me nervat kaçurrel, ndërkohë në korsinë tjetër, nga makina paralel dikush po flet e lëviz këmbë e duar që ta shohësh. Dhe le të themi se nëse personi në fjalë zgjedh fjalët e duhura me ndonjë batutë të këndshme, edhe mund ta ketë ndonjë shanc të vogël. Por një: “Amon ma jep numrin!”… Se sa janë gjasat që “Amoni” ta marri numrin, e dimë të gjithë. Pra sërish, përgëzime për përpjekjen, por kaq.

Ndërkohë, disa të tjerë po ndjekin një mënyrë disi më të zgjuar sepse nuk e shfrytëzojnë Snapfood vetëm për të porositur ushqim, por edhe për hartën sociale. Në hartë ke mundësinë të shohësh se u ndodhen nëpër Tiranë  të gjithë përdoruesit të cilëve mund t’i dërgosh ftesa miqësie. Aty mund të shohësh emrin, foton, gjininë, shenjën e horoskopit, preferencat ushqimore e sociale… pra gjithë informacionet që mund të të duhen për të nisur një bisedë me dikë të ri dhe të thyesh akullin. Pra herën tjetër që mendoni të bëni manovra si ato të mësipërmet për të flirtuar me dikë, kujtohuni se në disa raste nuk duhet të punosh fort, por të punosh në mënyrë të zgjuar.